4 vitet e mbikqyrjes së Pavarësisë

10/09/2012 19:45

Asgjë më pak se shtet i pavarur dhe sovran për qytetarët e Kosovës. Ky ishte caku në të cilin donin të mbërrinin autoritetet kosovare në vitet 2005-2006, atëherë kur bisedimet e Vjenës për përcaktimin e statusit përfundimtar kishin marrë udhë.

Por kjo nuk do të bëhej pa ndihmën e faktori ndërkombëtar. Njëri nga protagonistët e zhvillimeve, drejtuesi i ekipit të unitetit Fatmir Sejdiu kujton se për herë të parë dëgjoi për modelin e shtetësisë së Kosovës në shtator të vitit 2006. Sot ai nga pavarësi e mbikëqyrur ndërkombëtarisht i jep një term më të butë, pavarësi e mbështetur nga ndërkombëtarët.
 
“Në këtë periudhë të them të drejtën kemi pas shqetësime se cfarë mund të ndodhë, ato janë shprehur në forma të ndryshme, sidomos në pjesën e madhe që janë bërë edhe ndaj Kosovës, presione këto që ka pasur ide që të shkohet edhe përtej asaj që ishte e arsyeshme dhe e kam thënë edhe herat e tjera, këtë ide të qënies së Kosovës shtet i pavarur me një mbikëqyrje ndërkombëtare, unë e kam dëgjuar së pari dhe më është thënë nga presidenti Ahtisari në shtatorin e 2006, atë kohë që ne mendonim se do ta përfundonim procesin, pavarësisht zhvillimeve që mund të ishin pjesë e përpjekjeve për ta zgjatur, pra dhe jemi dëshmitarë të kohës se ishte e nevojshme që të vazhdohet deri në fundin e 2007-ës për të ardhur në 2008-ë”, thotë Fatmir Sejdiu, ish-president i Kosoves.

Në fakt edhe deri këtu nuk ishte e lehtë të arrihej sidomos kur kemi parasysh garancitë e forta ligjore që supozohet se duhej dhënë  për komunitetet pakicë, vecanërisht për serbët. Kjo ka shtruar dilemën, nëse Kosova është një shtet ku pakicat kanë të drejta disproporcionale me numrin e tyre.
 
“Une e kam mbështetur si ide dhe është në normën themelore se Kosova është vend i njerëzve të saj, vend që nuk krijon privilegjet dominante për dikë sepse është kësisoj duhet të bëjë shtrengesën e sistemit apo dicka të ngjashme, por një vend që sjell garanci të caktuara edhe për pakciat, por në këtë kuadër edhe vullneti i shumicës duhet te realizohet, sepse s’do ta quaja të suksesshem një vend nëse shumica nuk e gëzon atë”, thotë zoti Sejdiu.
 
Realiteti tregon se jo krejt pakica serbe e  përqafoi ofertën pavarësisht diskriminit pozitiv që iu bë. Veriu i vendit mbetet zonë ku shteti rrallë prek. Edhe pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, ndërkombëtarët mbesin në Kosovë. Priten garanci të reja për serbët në një proces të ri dialogu me Serbinë.
 
Kjo situatë dukshëm e zbeh pavarësinë e plotë. Në zhvillimet historike sipas politilogut Ramush Tahiri gjithmonë ka vend për korrigjim kur e kthen kokën pas. Megjithatë Tahiri shpreh bindjen se për shumë arsye prezenca ndërkombëtare në Kosovë është e domosdoshme.
 
“Kosova kishte nevojë për një asistencë ndërkombëtare sepse ne kishim një periudhë që ishim jashtë sistemit dhe administrata kishte humbur aftësitë e organizimit, unë e konsideroj që prezenca ndërkombëtare ishte e dobishme dhe gjithashtu edhe prezenca e Eulex-it në pjesë të caktuara të territorit është më se e nevojshme dhe gjithashtu Kosova ka nevojë që në procese të mëdha në luftë kundër korrupsionit të ketë ndërlidhje me policinë dhe gjyqësinë europiane”, thotë politologu Ramish Tahiri.
 
 
Tahiri, e përkufizon Kosoven si një shtet qytetar falë një projekti të përbashkët vendor dhe ndërkombëtar i cili vetem si i tillë mund të funksionojë.

Top Channel