Tensionet në Lindje, Clinton apel liderëve aziatikë

09/09/2012 00:00

Nga samiti i vendeve të APEC-ut, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton u bëri thirrje vendeve të Azisë Lindore të zgjidhin mosmarrëveshjet në lidhje me pretendimet territoriale që kanë në rajon.

Clinton tha se Kina, Japonia, Koreja e Jugut dhe vendet e tjera në rajon duhet të rinisin sa më parë bashkëpunimin në rajon, që ajo e cilësoi si “motorri” i ekonomisë globale.

Uashingtoni, tha Clinton gjatë fjalimit të saj në fund të samitit mes vendeve Azi-Paqësor në Vladivostok të Rusisë, mirëpret një rol më aktiv të diplomacisë së Moskës për të zgjidhur mosmarrëveshjet në rajon.

“Tani është koha për të gjithë ne që të punojmë për të ulur tensionet dhe për të rritur bashkëpunimin diplomatik në rajon”, tha ajo duke vijuar se nuk është në interes të askujt situata e tensionuar në Azinë Lindore.

Prej muajsh, Kina, Japonia, Koreja e Jugut dhe Indonezia janë përfshirë në konflikte të ashpra diplomatike mbi sovranitetin e disa ishujve në Detin e Kinës.

Top Channel