Trojka dhe Athina janë shumë larg njëra-tjetrës për kushtet e një marrëveshje të re që do t’i mundësonte Greqisë marrjen e këstit të radhës të huasë nga Bashkimi Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Europiane.
Përfaqësuesit e Trojkës dhe ata grekë u takuan ditën e sotme në Athinë dhe në fund të takimit asgjë nuk u arrit. Burime nga brenda qeverisë greke thanë se ka dallime të thella në qendrimin e palëve.
Ndërkohë, Ministri i Financave, Janis Sturnaras tha se ka ende shumë punë për të bërë dhe se do të diskutohet sërish me Trojkën për kushtet e huasë së radhës.
Ndërsa një burim nga brenda qeverisë tha se palët kanë disktuar për rreth dy orë për termat gjenerale të huasë si dhe për planin e qeverisë greke për reduktimin e borxhit në 2 vitet e ardhshme.
Mësohet se pala greke ka kërkuar të mos reduktojë më pagat dhe pensionet apo vendet e punës, por këto kërkesa kanë ndeshur në kundërshtinë e ndërkombëtarëve që këmbëngulin për të tjera shkurtime.
Planet për të tjera shkurtime hodhën në rrugët e Selanikut mijëra grekë që i kundërshtojnë ato. Epiqendra e zemërimit popullor ishte qyteti dytë më i madh i vendit, Selaniku.
Të paktën 25000 vetë, sindikalistë të sektorit privat dhe shtetëror, studentë, pjesëtarë të forcave të policisë, pensionistë dhe organizata të majta, kanë protestuar ditën e shtunë kundër masave të reja të qeverisë së kryeministrit Samaras që ka vizituar këtë qytet me rastin e hapjes së Panairit Ndërkombëtar.
Top Channel