Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton rrëzoi propozimin e Rusisë për paraqitjen e një rezolutë për Sirinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Duke folur ne fund të samitit te Organizates per Bashkëpunimin Ekonomik te Azise dhe Paqesorit, APEK, pas takimeve më homologun Sergei Lavrov dhe Presidentin rus, Vladimir Putin, shefja e diplomacise amerikane pranoi ndasitë mes Shteteve te Bashkuara dhe Rusise për Sirinë, tradicionalisht një vend aleat i Moskes.
“Nuk ka asnjë arsye për të miratuar një rezolutë pa forcë sepse e kemi parë dhe herë të tjera, se Asad do ta injorojë dhe do të vazhdojë të sulmojë popullin e tij”, deklaroi Klinton.
Moska kërkon aprovimin nga Këshilli i Sigurimit për planin e paqes, qe u miratua në Gjeneve, cili kerkon armepushim dhe tranzicion politik ne Siri.
“Ne duhet të jemi realist. Nuk jemi parë sy më sy me Rusinë për Sirinë, gjë që edhe mund të vazhdojë. Do të punojmë me shtetet që e mendojnë si ne, për të mbështetur opozitën siriane për të përshpejtuar ditën e rënies së Asadit dhe të ndihmojmë për të përgatitur të ardhmen demokratike të Sirisë dhe ta ndihmojmë atë, për të ecur sërish me këmbët e saj”, tha Klinton.
Mbi 100 persona vriten mesatarisht cdo ditë në Siri dhe diplomacia ndërkombëtare ende nuk ka dhënë ndonjë rezultat për zgjidhjen e krizës.
Takimi në Vladivostok nuk bëri gjë tjetër vecse të ravijëzojë dallimet mes ruseve dhe amerikaneve, që deri tani kane paralizuar Këshillin e Sigurimit.
I dërguari i OKB-se dhe Ligës Arabe, në Siri, Lakdar Brahimi pritet të vizitojë së shpejti rajonin. Ai ka pranuar se nuk ka ende një plan paqeje që mund të funksionojë.
Në terren, sipas aktivistëve të paktën 160 persona humbën jetën në luftimet e fundit. Televizioni shtetëror raportoi se trupat proqeveritare kanë rimarrë nën kontroll zonat në jug të Damaskut ndërsa në Alep vazhdon ofensiva ajrore. Sipas aktivistëve të paktën 23 mijë persona humbën jetën në Siri, prej nisjes së konfliktit, marsin e vitit të kaluar.
Top Channel