Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski as të dielën nuk ka pranuar që të prononcohet në lidhje me krizën politike. Përkundër interesit të madh të mediave që ndoqën për 2 orë disa aktivitete të Gruevskit në kryeqytet,  ai nuk foli për mosmarrveshjet me partinë e Ali Ahmetit. 

Në vend të tij, për krizën foli, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski. Ai tha se edhe megjithë dallimet me partnerin shqiptarë të koalicionit qeveritar, institucionet e shtetit po funskionojnë normalisht. Duke folur rreth projektligjit për forcat maqedonase të sigurisë, Dimovski u shpreh i bindur se ai do të miratohet edhe pa pëlqimin e BDI-së.

“Ligji nuk është i bllokuar. Deputetët e BDI-së po e shfrytëzojnë të drejtën e tyre për fjalime të gjata pasi këtë ua mundëson Rregullorja e Kuvendit. Ne edhe më tej mbetemi në qëndrimin se ligji për forcat maqedonase të sigurisë është pozitiv dhe se Parlamenti i Maqedonisë duhet ta miratojë atë. Dallimet që ekzistojnë rreth kësaj dhe çështjeve tjera politike do të shohim që t’i tejaklojmë përmes bisedimeve”, tha Ilija Dimovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.  

Kriza politike mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së duket se ka thelluar edhe më tepër ndarjet entike në Maqedoni. Mbrëmjen e së shtunës në stadiumin ‘Filipi i Dytë’ në Shkup ku po mbahej një koncert për 21 vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë, rreth 60 mijë maqedonas, në prani të kreut shtetëror, kanë fishkëlluar dhe sharë këngëtarët shqiptarë që performuan në gjuhën shqipe.

Në këtë koncert të financuar nga Qeveria, artistët shqiptarë u ftuan që të merrnin pjesë në momentet e fundit, vetëm pas reagimit të mediave në gjuhën shqipe në Shkup. Në koncertin për 21 vjetorin e pavarësisë kanë dominuar këngëtarët e estradës serbe.

Top Channel