Irak, dënim me vdekje për zv.presidentin

09/09/2012 00:00

Zv/presidenti irakian, Tariq al-Hashimi, i arratisur nga Iraku muaj më parë, u dënua me vdekje nga një gjykatë irakiane ditën e dielë.

Sipas mediave ndërkombëtare, al-Hashimi u shpall fajtor për akuzën e vrasjes së një avokateje dhe të një gjenerali të lartë të ushtrisë irakiane.

“Ndaj al-Hashimit rëndotjnë edhe shumë akuza të tjera, si korrupsion, përdhunim dhe tortura, por vetëm akuzat e vrasjes ndaj dy shtetasve irakianë u vërtetuan dhe ndaj tij u vendos dënimi me vdekje”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në Irak, Abdul Sattar al-Berqdar.

Tariq al-Hashimi, përfaqësues i pakicës sunite në Irak u largua nga vendi pas udhër-arrestit të lëshuar për të. Në muajin maj ai hodhi poshtë akuzat duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht që s’kanë lidhje me të vërtetën.

Por në të njëjtin muaj, me kërkesë të Irakut, Interpoli nxorri gjithashtu një urdhër-arresti për zv/presidentin irakian, i cili akuzohet edhe për financim të grupeve terroriste në vend. Vendndodhja e tij e fundit ishte pjesa veri-perëndimore e Irakut, i strehuar në bastioned kurde të vendit, ndërkohë që pas muajit maj, s’ka të dhëna të sakta për të.

Pikërisht në ditën e dhënies së vendimit, disa sulme ndaj forcave të rendit në Irak kanë shkaktuar të paktën 30  viktima. Sipas BBC, atentatet u kryen në një postbllok në veri të Bagdadit dhe në një qendër rekrutimi në Kirkuk.

Sunitët e lidhur me Al Kaedën kanë qenë përgjegjës për dhunën e kohëve të fundit në Irak. Sulmet e së dielës vijnë vetëm disa ditë pasi 8 persona u vranë në një xhami në Kirkuk.

Edhe pse episode të tilla janë pakësuar ndjeshëm që nga viti 2006, duket se kohët e fundit sulmet janë shpeshtuar pas tërheqjes së trupave amerikane në dhjetor të vitit 2011.

Top Channel