Një video shokuese ku dallohen dy deputetë të partisë naziste “Krisi Avgji” duke shkatërruar tezgat e emigrantëve me ngjyrë po bën xhiron e internetit.

Në videon e filmuar prej një anëtari të kësaj partie dhe që u publikua fillimisht në faqen e internetit partisë në fjalë duken dy deputetë të urdhërojnë që emigrantëve tu kontrollohen dokumentat dhe në vijim të kërkojnë shkatërrimin e tezgave të tyre.

Deputetët Jorgo Gjermeni dhe Petros Iliopulos madje japin edhe deklarata përpara kameras ku midis të tjerash thonë se urdhëruan shkatërrimin e tezgave dhe se të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe në zona të tjera të Greqisë. Ata thonë se emigrantët nuk kanë vend në Greqi.

“Së bashku me një grup simpatizantësh erdhëm të vizitojmë panairin e zonës. Midis të tjerash pamë që emigrantë klandestinë shesin mallra dhe ndërhymë duke bërë atë që duhej të bënim. Pa dyshim që aksione të tilla do të ketë edhe në të ardhmen.”

Pak pas publikimit të videos, ministri i mbrojtjes së qytetarit, Nikos Dendias, urdhëroi hapjen e një hetimi. Paralelisht një hetim është hapur edhe prej Prokurorisë së Athinës dhe sipas informacioneve të para dosja do të dërgohet në Parlament, ku dy deputetët pritet të përballen me akuza të rënda siç janë vënia në rrezik e jetës së personit, shkatërrim prone dhe tejkalim kompetencash zyrtare.

Kohët e fundit janë shtuar ndjeshëm sulmet raciste në Greqi. Në përgjithësi protagonistë në episodet raciste janë anëtarë të partisë naziste “Krisi Avgji”.

Top Channel