Epiqendra e zemërimit popullor në Greqi ishte orët e fundit qyteti i dytë më i madh i vendit, Selaniku.

Të paktën 25000 vetë, sindikalistë të sektorit privat dhe shtetëror, studentë, pjesëtarë të forcave të policisë, pensionistë dhe organizata të majta, kanë protestuar ditën e shtunë kundër masave të reja të qeverisë së kryeministrit Samaras që ka vizituar këtë qytet me rastin e hapjes së Panairit Ndërkombëtar.

Në kontrast me vitet e tjera, çuditërisht kësaj here protestat kanë qenë tepër paqësore dhe nuk janë shënuar raste dhune apo dëme materiale ndaj dyqaneve të qendrës së qytetit. Mbi 3500 policë kanë qenë në gadishmëri dhe kanë shoqëruar rreth 30 vetë në rajonet policore.

Nga ana e tij kryeminsitri grek në fjalimin e tij nga ky qytet ka theksuar edhe një herë se masat shtrënguese që po merr qeveria e tij do të jenë të fundit. Por opozita e Radikaleve të Majtë, që ka mbështetur protestat, ka cilësuar tepër hipokrite fjalët e tij dhe lideri i saj, Aleksis Tsipras, ka deklaruar se është kjo qeveri dhe masat e Troikës që po e shkatërrojnë vendin, që e kanë çuar armatën e të papunëve në 1.2 milion, që po u heqin bukën e gojës dhe ilaçet miliona pensionistëve.

“E vetmja gjë e sigurtë është se me gënjeshtra askush nuk mund të bëjë politikë sepse shumë shpejt shumica e popullit do të reagojë”, u shpreh Tsipras.
 
Protestat vijnë në momentet kur qeveria u paraqet përfaqësuesve të Troikës një plan reformash kursimi prej 12 miliardë euro që përmbajnë kryesisht reduktime të pensioneve dhe rrogave në sektorin publik, ku pagat kanë pësuar gjatë dy viteve të fundit një shkurtim prej 30%.

Nëse inspektorët e FMN-së, BE-së dhe BQE-së miratojnë paketën e masave do të japin dritën jeshile për lëvrimin e këstit prej 31.5 miliardë euro që do të ndihmojë vendin për kalimin e krizës.

Top Channel