“E vërteta është se Greqia ka arritur shumë pranë daljes nga euro, por kjo është një hipotezë që do të sillte vdekjen e vendit dhe që përbën një kërcënim që duhet ta shmangim”.

Kështu ka deklaruar kryeministri grek Andonis Samaras, duke folur në një takim në qytetin e Selanikut, ku mori pjesë në Panairin Ndërkombëtar.

“Duhet ta shmangin këtë kërcënim, të rekuperojmë kredibilitetin dhe të mbajmë vendin në zonën euro. Për këtë po luftojmë”, ka thënë Samaras.

Ai ka theksuar se prioritet për qeverinë e Greqisë është një relacion pozitiv i Trojkës dhe për këtë ai ka premtuar se Athina do t’u përmbahet angazhimeve të saj.

“Athina ka ndërmend t’i implementojë angazhimet e saj dhe ne luftojmë për të fituar”, ka thënë Samaras, duke kujtuar se një gjë e tillë është e nevojshme për këstin tjetër të ndihmës.

Bëhet fjalë për 31.5 miliardë euro, ndihmë pa të cilën ekonomia greke rrezikon të mbetet pa likuiditet financiar.

Një ditë më parë, gjatë vizitës në Athinë, presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy shprehu përkrahjen e tij ndaj qeverisë së kryeministrit Samaras, duke deklaruar se vendi i Greqisë është në eurozonë.

Por ai theksoi se është më se e nevojshme që të vazhdohen reformat dhe të respektohen angazhimet ndaj kreditorëve në mënyrë që Europa të vazhdojë mbështetjen e saj.

Top Channel