Obama: Amerika nuk është në rënie

08/09/2012 18:35

“Reçesioni i viteve të fundit ka qenë një tragjedi nga e cila duhet ende të marrim veten. Por Amerika nuk është në rënie. Kush e thotë këtë, gabon rëndë”.

Kështu ka deklaruar presidenti amerikan Barack Obama, në një fjalim në kolegjin St. Petersburg në Florida, një ndër shtetet më të ndjeshme për zgjedhjet presidenciale të 6 nëntorit.

Ndërsa në fjalimin e zakonshëm të së shtunës, presidenti ka kujtuar atentatet e 11 shtatorit 2001, duke hapur një javë përkujtimesh në mbarë Shtetet e Bashkuara.

“Amerikanët kanë refuzuar të jetojnë me frikë dhe sot vendi ynë është më i fortë, më i sigurtë dhe më i respektuar në botë”, ka thënë Obama.

Në këtë mënyrë, presidenti u është përgjigjur deklaratave të rivalëve republikanë, të cilët e akuzojnë se në katër vitet e fundit ai ka dobësuar lidershipin amerikan.

Gjithësesi, sfida kryesore e Obamës dhe rivalit Mitt Romney mbetet punësimi, i cili nuk po arrin pritshmëritë e shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Një ditë më parë, Obama pranoi se shifrat për punësimin nuk ishin “edhe aq të mira”. “Nuk është mirë. Ne e dimë që situata nuk është ashtu si duhet”, deklaroi ai në një tubim elektoral në Portsmuth.

Romney: Obama po riciklon premtimet

Ndërkohë, nuk ka munguar reagimi i kandidatit republikan, i cili duke iu drejtuar Obamës ka thënë: “Unë kur bëj një premtim e mbaj”.

Romney i është referuar replikave të një dite më parë mbi të dhënat e punësimit, duke akuzuar presidentin se nuk ka mbajtur premtimet që u ka bërë amerikanëve.

“Kjo javë nuk ka qenë e mirë përsa u takon shifrave mbi punësimin dhe amerikanët nuk e meritojnë këtë”, ka thënë Romney duke shtuar se Obama në këtë fushatë po bën “premtime të ricikluara”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA