Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti kërkon nga ambasadorët e vendeve të Kuintit në Kosovë që të mendojnë seriozisht se si mund të ndihmojnë në konsolidimin e sovranitetit dhe integritetit territorial në muajt e ardhshëm, pa kërkuar kompromise të tjera dhe të shtrenjta nga Kosova.

Ai dërgoi një letër sqaruese në adresë të diplomatëve të huaj në të cilën sqaron se përse Vetëvendosje nuk e sheh 10 shtatorin si ditë për t’u festuar, ose si përfundim të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

“Pas 10 shtatorit 2012, institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të jenë të varura nga misionet ndërkombëtare me kompetenca ekzekutive”, thuhet në letër.

“Përveç kësaj’, vijon ajo, “Kosova përballet me kërcënime të vazhdueshme ndaj sovranitetit politik nga Serbia dhe me një kërcënim shumë shqetësues ndaj sovranitetit ekonomik nga një proçes i korruptuar i privatizimit”.

Nëpërmjet kësaj letre Albin Kurti fton faktorin ndërkombëtar për bashkëpunim, ndërsa ai rikonfirmon respektin dhe mirënjohjen për ndihmën jetike që këto shtete i kanë dhënë Kosovës gjatë gjithë viteve.

Top Channel