Presidenti palestinez Abu Mazen ka njoftuar se më 27 shtator, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, do të kërkojë pranimin e Palestinës si shtet anëtar.
Për t’u miratuar, rezoluta duhet të votohet nga më shumë se gjysma e 193 vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Abu Mazen ka shprehur disa herë synimin e tij për t’iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme, pasi hoqi dorë për shkak të vetos amerikane në Këshillin e Sigurisë.
Njoftimi i Mazen vjen në një periudhë kur tensionet në Rripin e Gazës janë ngritur për shkak të sulmeve nga të dyja anët e kufirit.
Të paktën gjashtë palestinezë u vranë mëngjesin e së enjtes në dy sulme izraelite në këtë zonë, ndaj atyre që Izraeli tha se ishin militantë që po përgatisnin sulme me raketa dhe bomba.
Nga ana tjetër, burime palestineze deklaruan se tre persona mbetën të vrarë nga sulmi izraelit në veri të Rripit. Sipas burimeve, disa orë më herët, një sulm ajror në qendër të Gazës kishte vrarë tre militantë.
Izraeli deklaroi se kishte goditur një skuadrilje terroristësh që po vendosnin pajisje shpërthyese, ndërsa në Gaza, Ministria e Shëndetësise deklaroi se personat e vrarë ishin civilë.
Top Channel