1 vit nga vrasja e gjyqtarit Konomi

08/09/2012 21:10

Unioni i Gjyqtarëve Shqiptarë, përmes një deklarate për shtyp, ka shprehur keqardhjen e tij se, kur është bërë një vit nga vrasja e kolegut Skerdilajd Konomi, nuk është bërë asgjë për zbardhjen e saj.

“Më datë 09/09/2012 bëhet një vit nga vrasja makabër e tipit mafioz e gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Drejtësia humbi një gjyqtar të nderuar, të aftë e kurajoz. Familja humbi njeriun më të dashur, ne gjyqtarët humbëm kolegun e shokun, ndërsa shoqëria mori një goditje domethënëse në sigurinë e saj në jetën e përditshme”, thuhet në deklaratë.

“Unioni konstaton me keqardhje të thellë e dëshpëruese se nuk është bërë azgjë rreth zbardhjes së këtij akti kriminal.  Kjo përbën një ogur jo të mirë për drejtësinë në veçanti dhe shoqërinë në përgjithësi”, vijon më tej njoftimi.

Grupimi i bën thirrje autoriteteve përgjegjëse që të intensifikojnë punën për zbulimin e autorëve të vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi, apo urdhëruesve të saj.

“Kjo do të përbënte një ngushëllim për familjen e shoqërinë, por mbi të gjitha është një mision e përgjegjësi për të sjellë më shumë shpresë për siguri publike dhe drejtësi të pavarur e të përgjegjshme në vend”, përfundon deklarata.

Top Channel