Siri, bombë pranë xhamisë së Damaskut

07/09/2012 16:00

Një motor-bombë ka shpërthyer në veri të kryeqytetit sirian, Damask, duke vrarë të paktën pesë anëtarë të forcave të sigurisë, raportojnë mediat shtetërore.

Autoritetet deklaruan se atentati kishte si shënjestër njerëzit që dilnin nga xhamia në zonën Rukn al Din, pas lutjeve të së premtes.

Ngjarja ndodhi pak kohë pasi aktivistët e opozitës thanë se të paktën 55 persona ishin vrarë në luftimet në mbarë vendin gjatë ditës së premte.

Ndërsa kreu i Kryqit të Kuq tha se bisedimet me presidentin Bashar al Assad kanë qenë pozitive. Peter Maurer deklaroi se bisedimet ishin përqendruar në nevojën për të reduktuar pengesat për shpërndarjen e ndihmave dhe për t’u siguruar anëtarëve të Kryqit të Kuq akses tek të burgosurit.

“Ajo që arritëm sot ishin angazhimet, ndërsa ajo që kemi është një mekanizëm për të implementuar këto angazhime. Por nga ana tjetër duhet të kemi dëshmi se këto mekanizma po japin rezultat”, deklaroi Maurer.

Ende nuk është e qartë se cila ishte shënjestra e bombës së të premtes në Rukn al Din, një zonë e banuar, jo shumë larg qendrës së Damaskut.

Mediat shtetërore deklaruan se “sulmi terrorist” ndodhi teksa besimtarët po dilnin nga xhamia, por Observatori për të Drejtat e Njeriut tha se shpërthimi kishte si synim një patrullë sigurie.

Top Channel