SHBA, 96 mijë vende pune të hapura në gusht

07/09/2012 16:35

Ekonomia e Shteteve të Bashkuara krijoi 96 mijë vende pune në muajin gusht, sipas shifrave zyrtare të publikuara nga Zyra federale e statistikave.

Megjithatë, shifra në fjalë ishte më e ulët nga sa pritej dhe rishikimet e bëra për muajit qershor dhe korrik tregojnë se 41 mijë vende pune më pak u krijuan nga sa mendohej më herët.

Analistët prisnin që vendet e punës të krijuara në këtë muaj të ishin të paktën 125 mijë.

Ndërkohë, kuota e papunësisë ra në 8.1 për qind, krahasuar me 8.3 për qind që ishte në korrik, por vetëm sepse më tepër njerëz hoqën dorë nga kërkimi i një vendi pune.

Gjatë muajit gusht papunësia u rrit kryesisht në shërbimet e ushqimit dhe të pijeve, në shërbimet profesionale dhe teknike, si dhe në shërbimin shëndetësor.

Sipas të dhënave zyrtare, punësimi u rrit mesatarisht me 139 mijë njësi në muaj në vitin 2012, krahasuar me mesataren prej 153 mijë në vitin 2011.

Përqindja e amerikanëve që kanë një vend pune ose janë në kërkim ra në 63.5 për qind, duke shënuar kuotën më të ulët të pjesëmarrjes që prej vitit 1981.

Shifrat modeste mund të ushtrojnë presion ndaj presidentit Barack Obama në fushatën e tij për t’u rizgjedhur, duke pasur parasysh faktin se rivali i tij Mitt Romney e ka vënë punësimin në qendër të debatit kombëtar.

Zoti Romney i cilësoi shifrat si pothuajse të njëjtat për familjet e klasit të mesëm, që sipas tij po vuajnë në proçesin më të vështirë të rimëkëmbjes ekonomike që prej Depresionit të Madh. 

Top Channel