Obama-Romney, sfida tek punësimi

07/09/2012 21:25

Shpresa e presidentit amerikan Barack Obama për një fushatë të vrullshme me fjalimin e tij në konventën e demokratëve, është shoqëruar nga shifra zhgënjyese për punësimin.

Zoti Obama mësoi se shifrat për punësimin nuk ishin “edhe aq të mira”, një ditë pasi mbajti fjalimin e shumë pritur në konferencën e partisë së tij në Karolinën e Veriut.

Sfiduesi i tij republikan, Mitt Romney reagoi pas të dhënave të fundit mbi punësimin, të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave.

Dy rivalët janë kokë më kokë në sondazhet zgjedhore përpara proçesit elektoral të nëntorit. Të dhënat statistikore tregonin se 96 mijë vende pune ishin krijuar në muajin gusht, shifër kjo më e ulët se parashikimet.

Ndërkohë, kuota e papunësisë kishte rënë nga 8.3% në 8.1%, por vetëm sepse shumë njerëz kishin hequr dorë nga kërkimi i një vendi pune.

“Nuk është mirë. Ne e dimë që situata nuk është ashtu si duhet”, deklaroi Obama në një tubim elektoral në Portsmuth të Nju Hempshërit.

“Duhet të krijojmë më shumë vende pune dhe shpejt madje. Duhet të mbushim sa më shpejt boshllëkun e krijuar nga reçesioni”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Ndërsa zoti Romney e përqendroi fushatën e tij duke u mbështetur tek kritikat e ashpra ndaj menaxhimit të ekonomisë nga presidenti aktual.

“Nëse mbrëmë ishte një festë”, tha ai duke iu referua konventës demokrate, “atëherë këtë mëngjes pjesëmarrësve duhet t’u dalë pija”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA