Masakra, vëllai i viktimës mohon konfliktin

07/09/2012 19:25

Vëllai i kryetarit të familjes së vrarë në Alpet franceze ka deklaruar për policinë britanike se nuk ka pasur asnjë konflikt për çështje financiare.

Lajmin e kanë bërë të ditur prokurorët francezë. Prokurori Eric Maillaud ka deklaruar se hetuesit francezë do të marrin në pyetje vëllain e Saad al Hillit në cilësinë e dëshmitarit.

Ai konfirmoi zyrtaraisht se zoti Al Hilli dhe bashkëshortja e tij ishin mes personave që ishin qëlluar për vdekje në afërsi të liqenit Anesi, ditën e mërkurë.

Zyrtari tha gjithashtu se çiklisti britanik që raportoi krimin kishte parë një makinë me ngjyrë të errët të largohej nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa përsa i takon vajzës 4-vjeçare të çiftit, prokurori tha vetëm se ajo ka konfirmuar vrasjen e prindërve të saj gjatë pushimeve në zonën malore.

Duke folur në një konferencë për shtyp ditën e premte, zoti Maillaud deklaroi se vëllai i zotit Al Hilli shkoi vetë në polici pasi dëgjoi raportimet në media për vrasjet, për të mësuar më shumë mbi të dhe për të mohuar zërat për probleme me të vëllain.

Gjithësesi, prokurori shtoi se personi në fjalë nuk është marrë ende zyrtarisht në pyetje dhe se policia është ende duke mbledhur informacione për familjen e vrarë.

Më herët gjatë ditës së premte, policia franceze deklaroi se gjatë hetimeve kishte dëgjuar për një konflikt të mundshëm familjar mes dy vëllezërve për çështje parash.

Top Channel