Kuvendi i Kosovës bën hapin e fundit. Miraton amandamentet kushtetuese përmes të cilave bëhet përfundimi i mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Të paktën 98 deputetë votuan pro, 10 ishin kundër dhe vetëm 1 abstenoi.

Meqë për t’u miratuar ky ndryshim duheshin edhe më së paku 14 vota nga komunitetet pakicë, në fakt 22 deputetë nga pakicat u deklaruan përmes votës së tyre pro përfundimit të mbikëqyrjes.

“Sot mund të them me kranari që ky përfundim ka ardhur si rezultat i një pjekurie të institucioneve të vendit tonë, një pjekurie të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe një mirëkuptimi për një vlerësim pozitiv të bashkësisë ndërkombëtare. Natyrisht, ne presim që nga sot të rritet përgjegjësia e institucioneve vendore dhe funksionimin si shtet sovran e i pavarur në plotësi, në kuptimin sikur operojnë edhe kombet e lira”, deklaroi zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

22 amandamentet kushtetuese kanë marrë mbështetjen edhe të dy subjekteve opozitare, LDK-së dhe AAK-së, ndërsa Vetëvendosje, ashtu siç pati paralajmëruar, votoi kundër.

“LDK vlerëson se përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës është një fazë e rëndësishme në shtet ndërtimin e vendit”, deklaroi Ismet Beqiri, shef i grupit kuvendor të LDK-së.

“Ajo që ne mendojmë se po bëjmë sot është që nga Kushtetuta e Kosovës po i heqim provizionet të cilat në mënyrë kushtetuese e lidhin Kosovën me një mbikëqyrje. Detyrimisht se AAK do t’i votojë ndryshimet. Mendojmë se Kosova ka mësuar që të mos e futë në luftë ‘perfekten’ me ‘të mirën’ për shkak se nëse hyjnë në luftë këto nuk fiton asnjëra”, tha pas tij Ardian Gjini, shef i grupit kuvendor të AAK-së.

Ndërsa homologu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri u shpreh: “Me këtë përmbyllje që po i bëjmë proçesit të mbikqyrjes së pavarësisë, po heqim ato nene ku përmendet Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, ndërkohë që në pikën 2 do t’i vazhdojmë pushtetin ekzekutiv në aspekte shumë të rëndësishme të sovranitetit të shtetit, EULEX-it”.

Tashmë, vetëm Grupi Drejtues Ndërkombëtar do të mblidhet të hënën më 10 shtator në Prishtinë, ku do të marrë këtë vendim përfundimtar.

Po ashtu, gjatë së premtes, me 97 vota ‘pro’, 11 ‘kundër’ dhe asnjë ‘abstenim’, ligjvënësit kanë miratuar ligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare për mandatin e EULEX-it.

Me këtë ligj mandati i misionit europian zgjatet deri në qershor të vitit 2014. Edhe këtë ligj të gjithë grupet parlamentare e kanë mbështetur, përveç lëvizjes Vetëvendosje.

Ajo e ka kundërshtuar zgjatjen e mandatit këtij misioni me argumentin se politika neutrale e EULEX-it e përforcon mosnjohjen e Kosovës nga 5 shtetet anëtare të BE-së, sepse këto shtete do të arsyetojnë se vetë EULEX-i si institucion i BE-së nuk e njeh Kosovën si shtet.

Top Channel