Roja bregdetare italiane dhe anije të NATO-s po zhvillojnë kërkime në ujërat përreth ishullit të Lampeduzës, pasi një varkë me klandestinë u fundos.
Nga ngjarja një person ka vdekur dhe dhjetra të tjerë konsiderohen të humbur. Ndërkohë, 56 persona, mes të cilëve një grua shtatëzënë, janë shpëtuar nga ndërhyrja.
Të mbijetuarit thanë se në varkë udhëtonin rreth 100 persona dhe se mbytja e mjetit lundrues ndodhi në orët e para të mëngjesit të së premtes.
Ishulli i Lampeduzës, rreth 120 kilometra larg Tunizisë, është një nga portat hyrëse më të afërta për emigrantët afrikanë që duan të arrijnë Evropën.
Autoritetet kanë deklaruar se shifrat paraprake për 100 persona të ndodhur në bord mund të jenë paksa të fryra. Varka me emigrantë, e gjatë rreth 10 metra, u mbyt kur nuk ndodhej shumë larg Lampeduzës.
Disa nga të mbijetuarit u nxorrën nga deti, ndërsa të tjerë u gjetën në një strehë pasi kishin arritur të dilnin në breg.
Një zëdhënës i rojës bregdetare tha për “Associated Press” se deri tani janë numëruar 56 persona dhe të gjithë dyshohen se janë tunizianë.
Ditën e enjte, 56 persona u mbytën, gjysma e të cilëve fëmijë, pasi një varkë me emigrantë u përmbys në brigjet perëndimore të Turqisë.
Ndërsa 45 të tjerë që ndodheshin në varkë, që thuhet se ishin Irakenë, Sirianë dhe Palestinezë, arritën të notonin deri në breg, njoftuan autoritetet turke.
Top Channel