Me një lëvizje të shpejte dhe pa dhënë shumë shpjegime, Ministria greke e Transportit ka bllokuar mbrëmjen e së enjtes, të gjitha linjat e udhëtarëve që lidhin Greqinë me Shqipërinë, dhe kalojnë nga dogana e Kakavijës.

Bëhet fjalë për 22 linja udhëtarësh, pronarët e të cilave u njoftuan  nëpërmjet një faksi se u hiqet menjëherë licensa, duke u bllokuar kështu bizneset.

Sipas Ministrisë greke të Transportit, vendimi u mor si masë shtrënguese ndaj 22 kompanive greke që kanë licensë për linjat e udhëtarëve midis Greqisë dhe Shqipërisë, të cilat nuk munden t’i përmbahen detyrimeve të legjistacionit grek për linjat, e automatikisht edhe partnerëve të tyre shqiptarë.

Ky zhvillim pritet të krijojë një situatë kaotike në pikat kufitare, ndërsa bizneset e prekura prej tij, do kenë vështirësi serioze. Edhe pse ligji e dikton ndryshe, ministria greke nuk i ka thirrur palët për t’i shpjeguar arsyet e vendimit, cka le te dyshohet se pas kesaj levizje fshihet favorizimi i ben kompanise se linjave te brendeshme greke, KTEL, cmimet e te cilave per te njeten distance kilometrike jane dy here me te larta se ato që aplikojne kompanite shqiptare.

Drejtori i Osumi travel, Andrea Maramathias, lë të kuptohet se pas vendimit fshihen interesa të dyshimta.

“Ne jemi një kompani që filluam të operojmë në treg pas detyrimeve që i vuri kompanisë sonë në Shqipëri, ligji grek. Bëmë investim dhe filluam të punojmë brenda detyrimeve ligjore që ai përmban. Na habit fakti që ministria greke në mënyrë të nxituar dhe të pa precendentë, veproi duke na hequr lejën. U bëjmë thirje të mos na dëmtojnë bizneset tona, pikërisht në këtë kohë që vendi ynë po kalon krizë. Duhet të hetohet kush përfiton nga ky vendim”, tha Andrea Maramathias, drejtor i “Osumi Travel”.

Të shqetësuar janë dhe punonjësit e këtyre kompanive. Ata i bëjnë thirje qeverisë shqiptare të ndërhyjë, pasi bashkë dhe familjet e tyre rrezikojnë mbijetesën. Legjislacioni grek mbi transportin rrugor të udhëtarëve u ndryshua pak muaj më parë në mënyrë të njëanëshme dhe pa konsultimet e parashikuara në konventat ndërkombëtare, duke i detyruar tashmë kompanitë shqiptare që kanë linja udhëtarësh, të kenë kontratë partneriteti me kompani greke.

Top Channel