Fjalimi prekës i Giffords

07/09/2012 00:00

Dita e fundit e punimeve të Konventës së Demokratëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezervoi një surprizë të këndshme për të gjithë amerikanët.

Bëhet fjalë për Gabrielle Giffords, ish-kongresistja demokrate e vendosur në qendër të një sulmi me armë zjarri në Tukson të Arizonas, 8 janarin e vitit të kaluar. Në atentat mbetën të plagosur 19 persona, gjashtë prej të cilëve vdiqën. Mes të plagosurve me një plumb në kokë ishte edhe kongresistja Giffords.

Për muaj me radhë ajo iu nënshtrua disa operacioneve mjekësore dhe pas daljes nga rreziku për jetën, nisi periudhën e rehabilitimit, që e vazhdon ende sot. Si pasojë e plagëve të marrë në kokë, Giffords ka vështirësi në të ecur dhe të folur.

Por kjo nuk e pengoi 3 herë të mandatuarën e demokratëve në Arizona që të mbante fjalim në konventën e tyre. Giffords u përzgjodh të lexonte “Premtimin e Besnikërisë”, një traditë e demokratëve që betohen para amerikanëve për mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave të tyre dhe të kombit.

Fjalimi përloti të pranishmit. Për ta Giffords ëshë simbol i shpresës dhe rimëkëmbjes, që aq shumë Amerika ka nevojë në këto momente.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB