Blasfemia, lirohet e mitura pakistaneze

07/09/2012 21:50

Një vajzë e krishterë në Pakistan, që është burgosur me tre javë për blasfemi, ose sharjen e Zotit, ka arritur të sigurojë lirimin me kusht.

Vajza, e quajtur Rimsha, mendohet të jetë rreth 14 vjeç. Ajo u arrestua në Islamabad pasi një grup e akuzoi atë se kishte djegur fletë të Kuranit dhe kërkoi ndëshkimin e saj.

Javën e kaluar një imam pakistanez u mbajt në burgim pasi akuzohej se kishte futur fletët e djegura të librit të shenjtë në çantën e vajzës.

Çështja ka shkaktuar reagime ndërkombëtare. Gjyqtari Muhammad Azam Khan urdhëroi lirimin e saj dhe vendosi një gjobë prej 10 mijë e 500 dollarë.

Korrespondentja e BBC në Islamabad thotë se Rimsha është personi i parë i akuzuar për blasfemi që i është dhënë një lirim me kusht nga gjykata.

Për veprën penale të sharjes së Zotit nuk parashikohet lirimi kundrejt garancisë financiare, por avokatët e saj argumentuan se vajza është adoleshente.

Rimsha është mbajtur në një burg të sigurisë së lartë që prej datës 16 gusht dhe për shkak të moshës së saj janë ngjallur shumë debate në lidhje me aftësitë e saj mendore.

Mjekët që e ekzaminuan atë muajin e kaluar deklaruan se ajo duhet të ishte rreth 14 vjeç dhe se mosha e saj mendore dukej poshtë asaj kronologjike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA