Turqi, fundoset peshkarexha, 60 të mbytur

06/09/2012 15:30

Një anije e mbushur me emigrantë të paligjshëm u mbyt në brigjet perëndimore të Turqisë, duke i kushtuar jetën të paktën 58 personave.

45 të tjerë u nxorrën nga deti, por një grua dhe një fëmijë ndërruan jetë më pas në spital.

Sipas mediave turke, fundosja ndodhi shumë shpejt pas përplasjes me disa shkëmbinj nënujore, duke mos i dhënë kohë personave të ndodhur nën kuvertë që të largoheshin.

Peshkarexha u nis natën nga fshati i Ahmetbejlit. Shumë prej të mbijetuarve arritën të bënin me not një distancë prej 50 metrash deri në bregdetin shkëmbor, por disa dhjetëra u nxorrën nga deti prej forcave të rojes bregdetare.

Besohet se shumica e klandestinëve ishin me shtetësi siriane apo irakene.

Ishujt grekë në Egje janë një destinacion i preferuar për kalimin në Bashkimin Europian, nga emigrantët që paguajnë shuma të mëdha për trafikimin nëpërmjet territorit turk.

Aktualisht, Turqia ka sistemuar në kampet e saj për refugjatët e luftës mbi 80 mijë sirianë.

Top Channel