Pakistan, dëbohet stafi i Save the Children

06/09/2012 00:00

Stafi i huaj i Save the Children është urdhëruar të lërë Pakistanin brenda dy javësh, ka njoftuar vetë agjencia.

Ajo thotë se nuk i është dhënë asnjë sqarim për këtë urdhër, por korrespondentët thonë se kjo lëvizje e Islamabadit zyrtar është një përgjigje ndaj operacionit për vrasjen e Bin Laden.

Pas operacionit të vitit të kaluar në Abotabad, që çoi në eleminimin fizik të sheikut të terrorit, një doktor pakistanez u arrestua për bashkëpunim me CIA-n.

Zyrtarët e shërbimeve sekrete pakistaneze akuzojnë Save the Children për përfshirje në këtë operacion, akuza këto që hidhen poshtë nga grupi.

Gjashtë nga anëtarët e stafit të tij në Pakistan janë të huaj. Grupi bamirës ka punuar në Pakistan për më shumë se 30 vjet.

Korrespondentët deklarojnë se përjashtimi i të huajve nuk do të ketë ndonjë impakt domethënës në operacionet afatshkurtra të grupit në këtë vend.

Doktori Shakil Afridi u arrestua pasi u zbulua se kishte drejtuar një program të rremë vaksinimi me kërkesë të CIA-s, si pjesë e përpjekjeve të saj për të lokalizuar Bin Laden.

Doktori u dënua me 33 muaj burg në maj, në një proçes kontrovers të mbajtur me dyer të mbyllura, sipas sistemit gjyqësor tribal pakistanez.

Fillimisht mendohej se ai ishte burgosur për programin e vaksinimit, por dokumentat e gjykatës treguan më vonë se ai ishte dënuar për lidhje të dyshimta me një grup militant.

Top Channel