Në kuvendin e Shqipërisë është organizuar ditën e enjte një seancë
homazh në përkujtim të shenjtores së shqiptarëve Nënë Tereza.
Përkujtimorja është mbajtur me rastin e 15- vjetorit të ndarjes nga jeta
të Nënë Terezës, e cila përbën një figurë shumë të rëndësishme, jo
vetëm për kombin shqiptar, por për shumë kombe në botë për shakak të
kontributit të palodhur në ndihmë të të varfërve dhe të sëmurëve.
Seanca zhvilluar në praninë e deputetëve dhe të ftuarve të tjerë nga fusha e klerit nisi me fjalën e kryetares së kuvendit, Jozefina Topalli e cila vlerësoi figurën e Nënë Terezës si një personalitet të rëndësishëm të kombit tonë, që do të rikthehet në vëmendje, bashkë me të tjerët në këtë 100-vjetor të pavarësisë. “Ajo është nëna e gjithë botës”, – tha kryetarja e kuvendit.
Duke e vlerësuar Nënë Terezën si simbolin e moralit dhe dashurise njerezore, qe nuk mohoi kurre origjinen e saj shqiptare, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përzgjodhi urdhrin e Nënë Terezës për t’i dorëzuar te parit një botim special te Kuvendit te Shqipërise.
Ky eshte nje botim luksoz, i limituar ne 200 kopje unike, qe permbajne aktet e themelimit te shtetit shqiptar nga viti 1912-1922. Logoja zyrtare e 100 vjetorit te pavaresise eshte e punuar e gjitha me dore, e skalitur me teknologjine lazer dhe e gdhendur ne metal te lare ne ar 18 karat. Kete botim special kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli do t’ia dorezoje te firmosur 200 personaliteteve me te shquara per kombin shqiptar me rastin e 100-vjetorit te Pavaresise.
Ndërkohë kryeministri Berisha, nga ana e tij theksoi se Nënë Tereza lartësoi e emrin e shqiptarëve në një kohë që regjimi diktatorial sillte në botë një imazh të shpërfytyruar të kombit tonë.
“T’i themi asaj me gjithë zemër, Faleminderit! Nënë Tereza na dhe nder kur nuk e kishim, kur në botë nga një regjim barbar përcillnim lajmet më të përçudnuara, më poshtëruese, kur në një histeri të paparë rrënonim kisha dhe tempuj të shenjtë. Faleminderit që nuk e mohove origjinën tënde”, – theksoi kreu i qeverisë. Përkujtimi i shenjtores Nënë Tereza bëhet edhe në kuadër të organizimeve në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë.
Top Channel