Kriza, BQE vendos kundër Gjermanisë

06/09/2012 00:00

Banka Qendrore Europiane do të ndërhyjë duke blerë bonot e shteteve në krizë të Eurozonës. Ky ishte vendimi i marrë nga bordi i këtij institucioni i mbledhur ditën e enjte.

Pas këtij vendimi, kreu i BQE-së doli në një konferencë për mediat duke deklaruar se vendimi nuk e kufizon BQE-në në blerjen e titujve të vendeve në krizë, ndryshe nga ajo çfarë kërkonte e ngulmoi Gjermania.

“Duhet të mbrojmë integritetin e monedhës së përbashkët dhe gjithë Eurozonës. Miratimi i këtij vendimi nuk ishte unanim. Kishte një zë kundër dhe se kush ishte ai, po ua lë juve në dorë ta gjeni”, deklaroi kreu i BQE-së, Draghi.

Në fakt merret me mend se vota kundër blerjes pa limit të bonove të vendeve në krizë ka qenë e përfaqësuesit gjerman. Vetë kancelarja Angela Merkel, një ditë më parë gjatë një mbledhje të grupit të saj parlamentar tha se Berlini nuk është kundër këtij hapi, por mendon se duhet të caktohet një limit se sa mund të blejë BQE.

Në kohën kur BQE diskutonte për vendimin e rëndësishëm, kancelarja gjermane Merkel takohej me kryeministrin spanjoll, Mariano Rayoi. E pyetur në lidhje me këtë vendim, Merkel tha se BQE është një institucion i pavarur që merr vendime të pavarura dhe s’mund të komentojë në lidhje me këtë.

“Nuk mund të them se sa të larta janë interesat e bonove të secilit vend, di që janë të larta. Por mund të them ama që bonot gjermane janë në nivele minimale”, tha Merkel. Pikërisht prej këtij fakti Gjermania kërkonte ndërhyrjen e limitizuar të BQE-së, deri në momentin e vendosjes së balancave financiare.

Pavarësisht qendrimit të Berlinit, duke se për momentin, vendimi i BQE-së pati efekte pozitive. Pas deklaratës së presidentit Draghi, thuajse të gjitha tregjet europiane pësuan rritje, ndërsa efekti pritet të ndjehet edhe në tregjet e tjera botërore.

Top Channel