Me përfundimin e mbikqyrjes, pakicat në Kosovë humbin të drejtën që të kenë 20 vende të paracaktuara në kuvend. Pakoja e Ahtisarit parashikon që kjo e drejtë t’ju njihej vetëm në dy mandatet e para të kuvendit.

Më tej komunitetet mund të përfaqësohen në kuvend, por duke i  ndarë këto 20 vende mes tyre, në bazë të votave që do të marrin në zgjedhje.  

Por perfaqësuesit e serbëve të Kosovës dhe komuniteteve te tjera pakicë kërkojnë njëzëri që e drejta për të pasur  vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës t’u akordohet edhe për dy mandate shtesë. Në këtë mënyrë ata do të mund të vazhdojnë të kenë 20 deputetë të garantaruar paraprakisht, si dhe deputetët ekstra të dalë nga vota popullore.

“Shkresë ku kemi kërkuar që neni 148, kërkojmë të drejtën të vazhdohet sistemi që komunitetet kanë vendert e rezervuar. Mendoj që të inicohet sa më shpejt se kjo shkon në përputhje me votimin që do të bëhet të premten”, tha Nenad Rashiq, ministër i Punës dhe Mirëqënies sociale.

Me këtë kërkesë, pakicave u garantohen 20 vende në kuvend edhe nëse nuk marrin pjesë në zgjedhje, ndaj si rrjedhim, jashtë mund të mbetet një tjetër kandidat shqiptar, pavarësisht numrit të votave që mund t’i fitojë. Një kërkese e tillë duket se nuk mirëpritet fort nga kryeministri Thaci. Megjithatë ai pajtohet që të hapet debati për këtë cështje.

Në qoftë se kërkesa e pakicave nuk miratohet nga partitë politike, atëherë në zgjedhjet e ardhshme, serbët dhe komunitetet e tjera duhet të garojnë për të marrë votat që u duhen për këto  20 vende në parlament.

Top Channel