Janë mbushur plot 10 vjet nga ai moment kur Dori, ashtu siç e quajnë miqtë e tij më të mirë Teodor Kekon, u largua prej nesh. Shkrimtari, gazetari dhe publicisti i njohur ka lënë pas, përveç krijimtarisë së tij të gjerë edhe shumë miq, familjarë e dashamirës, të cilët mbushën plot sallën e Teatrit Kombëtar në një ceremoni përkujtimore ku u nderua kujtimi i njeriut të tyre të dashur.
Xhuli Keko, bashkëshortja e Teodor Kekos, tregon: “Unë gjithmonë kam përshtypjen që sa herë të kthehem në Shqipëri do e gjej këtu. Kur jam në Shqipëri e kam më të vështirë sësa kur jam në Hollandë.”
Disa prej miqve të Dorit u ngjitën në skenë për të përkujtuar shokun më të cilin ndanë shumë prej momenteve më të bukura të jetës.
Në ceremoninë e organizuar u promovuan edhe dy botime të reja. Njëri prej librave, i quajtur “Si breshka në shpinë mbaj një varr”, i dedikohet 365 ditëve të fundit të jetës së gazetarit. Botimi përmban disa prej krijimeve të tij të lëna përgjysmë, të cilat autori Arben Shkodra i mblodhi pas vdekjes me ndihmën e të vëllait nga tavolina e Teodorit, intervista të dhëna për shtypin, si dhe kujtimet e miqve të tij në atë vit të fundit të jetës.
Libri tjetër ” In Memoriam” është një biografi e paautorizuar e Kekos, botuar nga UET Press. Mbrëmja u mbyll me shfaqjen e një dokumentari, prodhim i Digitalb, ideuar dhe realizuar nga gazetarja Beti Njuma.
Dokumentari sjell pranë publikut një Teodor njerëzor, të prekshëm dhe të rrethuar nga miqtë. Një portret jetësor i shkrimtarit, ashtu siç e kanë njohur nga afër njerëzit e tij më të dashur.
Ilir Keko, vëllai i Teodor Kekos, shprehet: “Ndihem i nderuar që vëllai im ka kaq shumë miq. Jam shumë i emocionuar dhe e falenderoj Beti Njumën që edhe pse nuk e ka njohur personalisht Teodorin ka bërë një punë të mrekullueshme.”
Ditën e mërkurë, në një ceremoni të organizuar posaçërisht në Presidencë, Teodor Keko u vlerësua edhe me titullin “Mjeshtër i Madh” nga kreu i shtetit, Bujar Nishani.
Top Channel