Projekt-ligji i propozuar nga partia më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE që parashikon të drejta të vecanta vetëm për ushtarët maqedonas të konfliktit të vitit 2001, ka shkaktuar përplasje të ashpra mes deputetëve shqiptarë dhe atyre maqedonas, që në ditën e parë të futjes në procedurë parlamentare.

Deputetët shqiptarë me një zë kërkuan tërheqjen e këtij projekt-ligji i cili sipas tyre  është diskriminues, degradues dhe po kthen atmosferën e vitit 2001 në Maqedoni.

“Duke vlerësuar në masën morale dhe financiare vetëm njërën anë, atë që thoni ju, keni denigruar, keni fyer, palën tjetër që kontribuoi në Marrëveshjen e Ohrit, ata të cilët me të vërtet duan të krijojnë një shtet me themele të fuqishme multientike. Fatkeqësisht në propozim-ligjin dhe arsyetimin që i bëni ju, po shkatërroni themelet e shteti multietnik, ju po ndani shqiptarët dhe maqedonasit”, tha Arben Labenishta, deputet i BDI-së.

“Ky propozim-ligj është më i keqi që është propozuar ndonjëherë në Kuvendin e Maqedonisë. Është ligj njënacional dhe kryekëput anti-shqiptar. Të propozosh ligj që dëmton rëndë raportet ndëretnike, ligj që vë në pikëpyetje funksionimin e Maqedonisë si shtet dhe është një papërgjegjshmëri e madhe dhe një aventurë shumë e rrezikshme”, deklaroi nga ana tjetër, Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

Por, deputeti i VMRO-DPMNE-së Vele Georgievski, i përkrahur edhe nga deputetët maqedonas të LSDM-së opozitare, tentoi të arsyetojë projekt-ligjin që përjashton ushtarët e UÇK-së, duke thënë se ai është gjithëpërfshirës dhe nuk është anti-shqiptar.

“Lufta e vitit 2001 nuk zhvillua mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Dëshmi për këtë është fakti që në radhët e Armatës së Maqedonisë kishte edhe shqiptarë. Për fat të keq edhe nga ata kishte të plagosur dhe të vrarë. Sot këtu në Kuvend duhet ta korrigjojmë këtë padrejtësi që i është bërë atyre. Pra, në këtë mënyrë, të gjithë ne kemi mundësi që bashkarisht të dëshmojmë se duam që të ketë pajtim kombëtar”, deklaroi Vele Georgievski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
“Që në fillim dua të them ky është arsyetimi me më shumë budallallëqe që kam dëgjuar ndonjëherë. Ju duhet të dini se në bisedime ishin dy blloqe, pala shqiptare dhe ajo maqedonase dhe në bllokun maqedonas kur u nënshkruajt marrëveshja e Ohrit nuk kishte shqiptarë. Prandaj ato arsyetime që ju i jepni janë shumë kot”, reagoi Ziadin Sela, deputet i PDSH-së.

Debatet u zhvilluan në Komisionin Parlamentar për Punë dhe Politikë Sociale. Në fillim të mbledhjes deputetët maqedonas mbivotuan kolegët shqiptar, duke kundërshtuar kërkesën e PDSH-së që projekt-ligji të tërhiqet nga rendi i ditës së këtij komisioni, për shkak të boshllëqeve juridike dhe përmbajtes diskriminuese.

Deputetët e partisë shqiptare në pushtet BDI thanë se do të bëjnë gjithcka për të bllokuar këtë ligj përjashtues dhe u shprëhën mirënjohje kolegëve të PDSH-së për mbështetjen. Ky projekt-ligj që ka vënë në krizë koalicionin qeveritar, u propozua nga partia e Gruevskit si kundërpërgjigje për nderimin e dëshmorëve të UÇK-së nga ana e ministrave shqiptarë në qeverinë e Maqedonisë.

Top Channel