PS: Shteti i Berishës ka rënë

05/09/2012 00:00

Partia Socialiste e ka cilësuar situatën e kriminalitetit në vend, si
një provë tragjike të rënies së shtetit. Deputeti Taulant Ballla tha se
500 qytetarë kanë humbur jetën dhe janë plagosur vetëm në tre muajt e
fundit duke akuzuar rëndë kryeministrin Berisha, ministrin e Brendshëm
Noka dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit.

“500 të vdekur e të plagosur nga krimi e aksidentet janë prova më dramatike se Sali Berisha dhe tufa e militantëve e badigardëve që drejtojnë sot Ministrinë e Brendshme e Policinë e Shtetit, kanë dështuar totalisht të garantojnë sigurinë e jetës dhe pronës të qytetarëve shqiptarë. Vrasjet, plagosjet, vjedhjet me dhunë, vjedhjet e makinave, transformatorëve, të shinave të trenit, grabitjet me armë të dyqaneve e bankave që janë kthyer tanimë në një epidemi të vërtetë, tonelatat e drogës që trafikohen çdo muaj janë fakte që flasin qartë për shthurrjen e ligjit dhe rendit në Shqipëri. Sot shteti i Sali Berishës ka kapitulluar përballë krimit. Ministri i Brendshëm del e sulmon opozitën e deklaron se janë marrë të gjitha masat për parandalimin e krimit. Por Flamuri e ka të shkruar në ballë, që nuk e bën dot Ministrin e Brendshëm, prandaj sot llogaritë ia kërkojmë Saliut”, tha Balla.

Duke komentuar punën e Policisë së Shtetit, Taulant Balla deklaroi se ajo ka humbur besimin e qytetarëve sepse në vend që të jetë një institucion në shërbim të qytetarëve ajo është kthyer tanimë, në një strehë militantësh e individësh me precedentë kriminalë.

“A ka mundësi të sqarojë Sali Berisha, se cfarë arritjesh në luftën kundër krimit e mbajnë në krye të Policisë së Shtetit ish-bodyguardin e tij Agron Kulicin? E çfarë besimi mund të kenë qytetarët, çfarë frike mund të kenë sot kriminelët nga një polici zyrtarë të lartë të së cilës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm tani President, Drejtorin e Përgjithshëm dhe Zëvendës Drejtorin e Policisë për lidhje të drejtëpërdrejta me grupe kriminale. Sali dhe Flamuri i partisë deklarojnë se janë zbuluar 88% e vrasjeve, një shifër ku përfshihen edhe të gjitha rastet e vetëdorëzimit. Por plot 12% të rasteve, që janë pikërisht edhe krimet më të rënda, mbeten ende të pazbuluara”, tha Balla.

Këtë situatë në Policinë e Shtetit deputeti Balla e ilustroi me disa krime të pazbuluara siç janë vrasja e deputetit Fatmir Xhindi, kryekomunarit Remzi Veseli dhe gjyqtarit Skerdilajd Konomi.

Top Channel