Libi, ekstradohet “kryespiuni” i Gaddafit

05/09/2012 16:05

Mauritania ekstradoi në Libi ish-shefin e Shërbimeve Sekrete Libian në kohën e kolonelit Gaddafi, Abdullah al-Senussi.

Ishin autoritetet e Tripolit ato që konfirmuan të mërkurën dorëzimin e tij të suksesshëm.

Al-Senussi kërkohet nga drejtësia libiane për krimet e dyshuara të kryera në kohën e diktatorit Gaddafi, midis të cilave edhe akuza të rënda për vrasje, krime kundër njerëzimit e genocid.

Ndaj tij rëndon gjithashtu një mandat arresti prej Francës dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve.

Mauritania kishte vonuar ekstradimin e ish-kryespiunit me argumentin se duhet të vuante fillimisht në vend për akuzën e kalimit të paligjshëm të kufirit.

Ai u zhvendos në vendin e Afrikës Perëndimore drejt fundit të regjimit të Muammar Gaddafit.

Më përpara, dërgimi i tij në Libi ishte kundërshtuar ndërkombtarisht pasi në vendin e tij të origjinës al-Senussi mund të përballet me dënimin me vdekje.

”I kërkuari u ekstradua në Libi në bazë të garancive të dhëna nga autoritetet libiane”, u shpreh një zyrtar mauritan në një deklaratë, pa specifikuar se cilat ishin këto garanci.

Top Channel