Integrimi, si “aksesor” i luftës politike

05/09/2012 00:00

SKËNDER MINXHOZI – Kush priste që pas pushimeve verore, të flitej për
marrjen e statusit në 12 tetor, pësoi zhgënjimin e radhës. Fjalimet
inauguruese të palëve në Kuvend hoqën çdo iluzion se javët e gushtit
kanë sjellë ndonjë spostim sado simbolik nga qëndrimet e njohura
refraktare.

Ndërsa të gjithë zyrtarët kryesorë të BE-së po kërkojnë këto orë bashkëpunim, politika në Tiranë mpreh armët për një betejë tjetër që nuk ka asnjë lidhje me vetë procesin e afrimit në Europën e Bashkuar.

Integrimi europian ka qenë historikisht një aksesor i luftës së brendshme politike. Si tillë ai është keqpërdorur qysh prej kohësh që s’mbahen mend nga klasa jonë politike. Sot qeveria i ka hequr pluhurin dosjes së vjetër të imunitetit, duke pretenduar se, para se heqjen e tij ta kërkojë Europa, e ka kërkuar vetë ajo. E çuditshme, prej 22 vjetëve pluralizëm në Shqipëri, kjo parti (plus garniturat e radhës), ka qenë në pushtet plot 13 vjet. Megjithatë, fajin e ka opozita, sepse duhet shumicë e cilësuar në Parlament! E gjitha kjo është qesharake, aq sa është e ambalazhuar keq e në mënyrë naive. Ka një bindje gjithnjë e më solide në opinionin publik, se treni i 12 tetorit nuk i duhet asnjërës prej dy partive të mëdha. Nuk i duhet opozitës, pasi ky do të ishte një “sukses elektoral” i palës kundërshtare në votimet e vitit të ardhshëm. Por nuk duhet me sa duket, as qeverisë. E cila më së pari nuk dëshiron që ta afrojë anijen pa vela me emrin “Shqipëri”, në dyert e një BE-je, e cila i ngjan një pike kontrolli nga ato të rreptat, ku vende si ky i yni, stonojnë dukshëm me kriteret klasike të një demokracie. Së dyti, nuk i duhet, pasi, në vend të statusit, qeverisë i duhen më shumë “shkaktarët” e dështimit, sesa vetë suksesi. E thënë ndryshe, i duhet një grusht miliarderësh zullumqarë brenda të majtës, të cilët paraqiten si më mafiozë se Toto Riina, më të korruptuar se doganieri më “i zellshëm” i Kapshticës apo Kakavijës, më gjakësorë se krerët e bandave kriminale që bredhin rrugëve. Ky është imazhi që po fabrikohet mbi kurrizin e statusit të vendit kandidat, nga një politikë qeveritare e cila kërkon prej kohësh dëshpërimisht, “kundërfigurat” e vetes së vet, në anën tjetër të spektrit politik. Në vend të një cope letre, e cila të hap telashe pafund (statusi), më mirë një antipastë emrash për t’ia hedhur në pjatë arenës së gladiatorëve të vitit të ardhshëm. Në vend të afrimit me BE, na duhet fitorja e zgjedhjeve. Kështu mendojnë sot djathtas. Sepse integrimi, siç dihet, është një luks, një bizhu, një aksesor, që vjen pas nevojës madhore të mbajtjes edhe një herë, për të tretën herë, të pushtetit.

Kështu mendon sot qeveria shqiptare, teksa imponon një negociatë të zhbalancuar për heqjen e imunitetit, e teksa i konsideron “paçavure” ato që minimalisht duhej të ishin materie për debat me palën tjetër. Dhe papritur nga axhenda politike e shumicës zhduken si me magji lufta kundër korrupsionit, sistemi i deformuar i drejtësisë dhe plagë të tjera që BE kërkon të korrigjohen në kuadër të afrimit me Europën. Zhduken madje nga fjalori zyrtar, e kjo tingëllon tërësisht absurde, edhe zjarret apo viktimat e krimit e aksidenteve rrugore, me qëllim që t’i lihet vend “mostrës publike”: imunitetit!

Një gjë duket e qartë në fundin e kësaj vere të nxehtë: ajo që po vijon këto orë e pandërprerë, para dhe pas pushimeve, është lufta e shëmtuar politike, si instinkt bazë i kësaj klase drejtuese, e jo përpjekjet për kapjen e trenit të 12 tetorit. Në një botë tjetër, më normale se kjo e jona, debati politik dhe procesi i integrimit duhet të ishin komplementarë. Pra të nënkuptonin, e jo të përjashtonin njëri-tjetrin. Porse, ashtu siç e vinte në dukje së fundi edhe zyrtari i lartë europian Sanino, në ambientin tonë gjithçka ka premisën që të kthehet në një “sherr atomik”. Prandaj edhe beteja e brendshme politike është transformuar prej kohësh në një produkt eksploziv të llojit të vet, krejt e veçantë dhe e pakrahasueshme në basenin tonë gjeopolitik ballkanik dhe aq më pak atë europian.

Jetojmë në një vend ku kultura e urrejtjes është forma e vetme e perceptimit dhe përjetimit që përfaqësuesit tanë politikë kanë për njëri-tjetrin, por edhe për interesat e mëdha të vendit. Jetojmë nën hijen e një klase drejtuese, e cila ka krijuar prej vitesh stereotipin e eliminimit të kundërshtarit me çdo kusht. Rregullisht viktima e kësaj sjelljeje ka qenë procesi i integrimit. Qysh prej kohës kur ky proces ka hedhur hapat e para, e deri më sot, kur jemi në një fazë të avancuar të marrëdhënies tonë me Bashkimin Europian. Kësisoj, më shumë sesa të ulemi e bisedojmë për statusin, po vendosim qysh tani piketat hileqare e të dhunshme të fushatës së ardhshme elektorale.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA