Qeveria e Kosovës miraton projektligjin për ratifikimin e letrave të shkëmbyera mes Kosovës, perkatësisht presidentes Atifete Jahjaga dhe shefes së diplomacisë europiane Catherine Ashton.

Sipas kryeministrit Hashim Thaçi, kjo është marrëveshja e parë bilaterale mes Kosovës dhe BE-së. Ajo garanton vazhdimin e mandatit të EULEX-it deri në vitin 2014.

Thaçi kërkoi miratimin e saj bashkë me ndryshimet kushtetuese për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur.

“Pres që të premten të kalojnë dhe të votohen me dy të tretat në Kuvendin e Kosovës edhe ky letërkëmbim, pra kjo marrëveshje bilaterale, por në të njëjtën kohë edhe ndryshimet kushtetuese që do të hapin perspektivën për seancën solemne”, deklaroi Thaçi.

Ndërsa zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi sqaroi se projektligji në fjalë ka të bëjë me zgjatjen e mandatit të EULEX-it, në fushat e parapara deri më 15 qershor 2014.

Në veçanti ai parashikon emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të huaj nga institucionet e Kosovës, si dhe i garanton imunitet të stafit dhe zyrës së EULEX-it.

Vetëvendosje sërish kundër EULEX-it

Më herët gjatë së mërkurës, lëvizja Vetëvendosje kundërshtoi sërish vazhdimin e mandatit të misionit të Bashkimit Europian.

Përveç kësaj, në një konferencë për shtyp, deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca kritikoi mënyrën e hartimit të letrës që presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka dërguar shefes së diplomacisë europiane, Catherine Ashton, në shkelje, sipas tij të Kushtetutës.

“Jahjaga po thërret një EULEX që është neutral ndaj statusit të Kosovës. Në këtë mënyrë, Jahjaga ka shkelur Kushtetutën”, tha Konjufca.

Konjufca kritikoi edhe letrën që ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka dërguar në Bruksel, meqë sipas tij qeveria po i propzon EULEX-it që të jetë i veçantë për çështjet e veriut, duke e trajtuar veriun ndaras.

Çështja e mandatit të EULEX-it pritet që këtë të premte të diskutohet në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu, aty pritet që të ratifikohet edhe letra e shkëmbyer mes presidentes Jahjaga dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton, për vazhdimin e mandatit të misionit të BE-së, për të cilin duhen 80 vota.

Ndryshe nga Vetëvendosje, në mbështetje të vazhdimit të mandatit të EULEX-it kanë dalë edhe dy subjektet opozitare, LDK dhe AAK.

Top Channel