Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik ka deklaruar se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, por pa territorin në veri.

Dodik, një nga promotorët e ndarjes apo pengesave të mosfunksionimit të Bosnjës, ka thënë se veriu i Kosovës duhet të ngelet në Serbi dhe të pranohet realiteti për pjesën tjetër.

“Nga ana tjetër, Serbia duhet ta ketë të qartë që kthimi i Kosovës në aspektin politik është i pamundur. Nuk është vetëm humbje siç e paraqesim në Serbi. Duhet të mblidhemi e ta shohim realitetin, ta shohim këtë si një dhuratë. Veriu i Kosovës është realiteti”, ka thënë Dodik.

Dodik ka qenë një nga politikanët me të afërt të ish-presidentit Boris Tadiç nga Bosnja dhe së fundmi është takuar edhe me presidentin Tomisllav Nikoliç.

Gjysma e Bosnjës është nën kontrollin e tij dhe disa herë ai ka kërcënuar me referendum. Marrëdhëniet e tij me Sarajevën janë në nivel minimal dhe shpesh ka folur kundër Bosnjës.

Top Channel