Bahrein, burg aktivistëve të opozitës

04/09/2012 00:00

Një gjykatë apeli në Bahrein ka konfirmuar dënimin e 20 aktivistëve dhe
figurave të opozitës për komplot me qëllim përmbysjen e shtetit.

Vendimi, i dhënë më herët gjatë vitit nga një gjykatë ushtarake, përfshin tetë burgime të përjetshme.

Mes personave të dënuar është edhe Abdulhadi al Khawaja, i cili bëri edhe një grevë prej 110 ditësh në shenjë proteste ndaj burgimit.

Grupet për të drejtat e njeriut kanë kërkuar lirimin e tyre dhe kanë deklaruar se asnjë provë e paraqitur nga autoritetet në gjyq nuk tregon se të pandehurit kishin përdorur apo mbrojtur dhunën gjatë protestave të vitit të kaluar kundër mbretit Hamad.

Të paktën 60 persona thuhet se janë vrarë që kur protestat shpërthyen në shkurt të vitit 2011, me banorët që kërkonin më shumë demokraci dhe ndalimin e diskriminimit të myslimanëve shiitë nga familja mbretërore sunite.

Mbreti është përpjekur disa herë të zgjidhte disa prej kërkesave të protestuesve, duke njoftuar realizimin e reformave kushtetuese.

Por opozita, ashtu si dhe aktivistët e të drejtave të njeriut, thonë se premtimet e monarkut janë premtime boshe dhe se ofensiva kundër figurave opozitare vazhdon.

Top Channel