Spanjë, edhe Andaluzia në telashe

03/09/2012 15:30

Pas Katalonjës, Mursias dhe Valencias, Andaluzia u shndërrua të hënën në rajonin e katërt autonom të Spanjës që kërkon ndihmë të menjëhershme financiare nga qeveria qendrore.

Krahina me kryeqendër Seviljen kërkoi një fond urgjent prej një miliardë eurosh, në mënyrë që të vazhdojë të mbajë në këmbë administratën dhe investimet e planifikuara.

Lajmin e bëri të ditur për mediat Susana Diaz, një prej politikaneve kryesore andaluziane.

Krahina e Valencias pranoi një javë më parë se është në rrezik falimentimi, ndërsa kërkoi nga qeveria qendrore një hua më të madhe nga sa ishte spekuluar, prej 4,5 miliardë eurosh.

Më pare gjatë gushtit, edhe krahina më e pasur në vend, ajo Katalonjës kërkoi një hua urgjente prej pesë miliardë eurosh prej qeverisë qendrore.

Këtë verë, një fond prej 18 miliardë eurosh u vendos në dispozicion nga Madridi për të ndihmuar 17 rajonet e tij autonome, shumë prej të cilëve në një gjendje alarmante të financave.

Rrënimi i finacave së disa qeverive rajonale spanjolle vjen ndërsa të dhënat tregojnë se ekonomia e Spanjës vazhdon të tkurret, me një rënie prej 0,4%, në tremujorin prill-qershor.

Tremujori i parë i vitit gjithashtu shënoi një recesion prej 0,3%, ndërsa shenjat tregojnë se ekonomia është në rënie edhe gjatë këtij semestri të tretë të vitit.

Më parë gjatë vitit, Spanja kërkoi një hua prej 100 miliardë eurosh nga Bashkimi Europian, duke rritur skepticimin dhe spekulimet se vendi me papunësinë më të lartë brenda BE-së mund të pësojë një kolaps të ngjashëm me atë të ndodhur në Greqi,

Top Channel