Siri, dhuna s’ka të ndalur

03/09/2012 00:00

Në Siri vazhdojnë luftimet dhe në episodet e fundit të dhunës në provincën e Alepos, aktivistët e opozitës flasin për dhjetra të vdekur.

Sipas këtyre burimeve, cituar nga BBC, një avion luftarak i regjimit ka bombarduar disa banesa në këtë provincë dhe në një nga shpërthimet e tij kanë gjetur vdekjen të paktën 25 civilë, mes të cilëve gra dhe fëmijë.

Në Damask shpërthimi i një bombe vrau të paktën 5 persona dhe plagosi dhjetra të tjerë në lagjen Jaramana të kryeqytetit.

Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, algjeriani Lekhdar Brahimi tha për BBC se do të nisë misionin e tij në Siri sa më parë që të jetë e mundur. Ai pritet të udhëtojë drejt Damaskut ditën e shtunë ku edhe do të takohet me presidentit Bashar al-Assad për të diskutuar mundësinë e dhënies fund të dhunës.

Kryeqi i Kuq ndërkombëtar jep alarmin për situatën e rëndë me të cilën po përballen mijëra qytetarë sirianë. Organizmi flet për mungesë ushqimesh, medikamentesh dhe uji të pijshëm në zonat e prekura nga luftime të ashpra dhe për të shmangur një tragjedi humanitare, kërkoi ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar.

Top Channel