Kore e Veriut, shkatërrime masive prej tajfunit

03/09/2012 15:40

Tajfuni “Bolaven” vrau të paktën 48 persona në Korenë e Veriut, ndërsa më shumë se 50 të tjerë janë të humbur, informoi të hënën Agjensia Shtetërore e Lajmeve, “KCNA”.

Sipas njoftimit zyrtar, “tajfuni shkaktoi dëme të mëdha në Kore dhe la të pastrehë më shumë se 20 mijë persona. Qindra pemë dhe linja të elektricitetit u rrëzuan gjithashtu si rrjedhojë e erërave të fuqishme”.

Vendi komunist u godit nga kjo katastrofë natytore ndërsa është ende duke u rikuperuar nga përmbytjet masive të qershorit dhe korrikut, që lanë më shumë se 170 të vdekur, mbi 400 mijë të zhdukur e rreth 250 të pastrehë në të gjithë kombin me 25 milionë banorë.

Për shkak të izolimit të plotë dhe pamundësisë së mediave ndërkombëtare për të pasur korrespondentë në vend, është e pamundur të verifikohet bilanci i viktimave i publikuar nga “KCNA”, që në të shkuarën ka pasur tendencë të zbusë përmasat e tragjedive që ndodhin në vend.

Tajvuni “Bolaven” goditi pjesën perëndimore të Gadishullit Korean, përpara se të shkaktonte dëme gjithashtu në ishullin japonez të Okinavës.

Besohet se fatkeqësitë natyrore e kanë përkeqësuar krizën e ushqimit në Korenë e Veriut, vend ku miliona banorë janë të kërcënuar nga uria, si rrjedhojë e mungesave të shumta që shkakton devijimi i fondeve shtetërore për arsye ushtarake dhe i bllokadave ndërkombëtare si rrjedhojë e ambicieve bërthamore të Penianit.

Top Channel