Qeveria e Kosovës pret që këtë të premte, më 7 shtator, në Kuvend të diskutohet vazhdimi i mandatit të misionit të BE-së, EULEX-it.

Aty pritet të ratifikohet edhe letra që do të shkëmbehet mes presidentes Atifete Jahjaga dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton, për vazhdimin e mandatit të misionit, për të cilin duhen 80 vota.

“Nëse miratimi për mandatin e ri duhet, atëherë ai duhet të vijë para përfundimit të mandatit të vjetër. Më 10 shtator është një seancë solemne për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe nuk do të ketë çështje tjetër në rend të ditës”, deklaroi kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi.

Në favor të qëndrimit të misionarëve europianë në Kosovë do të votojnë edhe LDK e AAK nga opozita, përveç Vetëvendosjes, nga ku deklarohen se do të duhej të përcaktohej mënyra e përfundimit të mandatit, e jo e vazhdimit të tij.

“Ne do ta përkrahim vazhdimin e mandatit të EULEX-it. Sigurisht që EULEX-i mund të bëjë punë më të mirë, por nuk kanë pushuar të gjitha arsyet dhe nevojat që ky mision të mos jetë prezent në Kosovë. Ai është një institucion ku mund të drejtohen qytetarët tanë, për çështje që ai është përgjegjës”, ka thënë Ismet Beqiri, kryetar i grupit kuvendor të LDK-së.

“EULEX-i nuk duhet të qëndrojë më në Kosovë. Për EULEX-in duhet të kemi vetëm një plan për largimin e tij. Natyrisht që largimi duhet të bëhet sipas fazave, por jo në faza të gjata kohore. Duhet në periudha sa më të shkurtra, në mënyrë që institucionet e Kosovës të marrin pushtetin”, ka thënë nga ana tjetër Visar Ymeri nga Vetëvendosje.

“Kosova ka nevojë për mbështetje në sundimin e ligjit dhe në këtë drejtim ne mbështesim zgjatjen e mandatit të EULEX në Kosovë”, ka thënë Ardian Gjini, shef i grupit të AAK-së.

Misioni europian për sundimin e rendit dhe ligjit, EULEX, zbarkoi në Kosovë në vitin 2008, disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe pritet të jetë në Kosovë deri në mes të vitit 2014.

Top Channel