Clinton nis “ofensivën diplomatike” në Azi

03/09/2012 15:15

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, është duke ndërmarrë një tur në Azi me ndalesë të parë Indonezinë, me fokus përplasjet e disa shteteve me Kinën për një seri ishujsh të debatueshëm në Detin e Kinës Jugore.

Clinton do të realizojë një tur 11-ditor, i cili do të përfundojë me një vizitë të saj në Rusi.

Sipas analistëve, turi i saj i zgjatur është shenjë e një ofensive diplomatike amerikane në rajon, si pjesë e konsiderimit të Azisë si rajoni thelbësor për interesat e SHBA-ve nga ana e presidentit Barack Obama, ne fjalimin e tij perpara kombit me pare gjate vitit.

Përveç Indonezisë, Clinton do të vizitojë Timorin Lindor, Brunein dhe Kinën, përpara se të udhëtojë për samitin e APEC-ut në Rusi.

Në një komunikim zyrtar, Clinton tha përpara gazetarëve se SHBA është e interesuar “të fuqizojë unitetin midis kombeve aziatike”.

Më parë gjatë vitit, Kina u përplas me Indonezinë në lidhje me disa ishuj të diskutuar, ndërsa kriza u përshkallëzua në gusht me një përplasje serioze me Japoninë.

Brunei, Malajzia, Filipinet, Vietnami dhe Mianmari kanë gjithashtu pretendime territoriale në zonë.

Top Channel