Për liderin e lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti shteti i Kosovës nuk po shkon drejt përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë por, drejt okupimit të brendshëm të saj.

Sipas Kurtit qeveria kosovare nuk ia ka idenë e sovranitetit të shtetit prandaj i shton fusnota pavarësisë e cila do të mund të ishte baza për sovranitetin. Në mbledhjen e rregullt të lëvizjes së udhëhequr prej tij, Kurti ritheksoi se, sipër Qeverisë ndodhet protektorati ndërkombëtar i cili as nuk po përfundon e as nuk po përmbyllet por po hyn përbrenda institucioneve të Kosovës. Ky protektorat sipas tij, ka sjellë paqen pa demokraci, sigurinë pa zhvillim dhe stabilitetin pa liri.

“Stabiliteti në Kosovë është rehati për burokratët ndërkombëtarë dhe zyrtarët qeveritarë e kurrsesi për qytetarët e Kosovës. Kemi një Qeveri që është shumë e dobët karshi Serbisë dhe shumë e egër karshi qytetarëve të Kosovës. Kemi një Qeveri që është servile karshi burokratëve ndërkombëtarë dhe mizore ndaj njerëzve vendës këtu. Krahasur me periudhën e okupimit të viteve të ’90-ta, politikisht, shqiptarët e Kosovës kanë bërë kalimin nga burgu serb në spitalin ndërkombëtar. Atëherë ishim të burgosur ndaj të cilëve ushtrohej dhunë e përditshme. Subjektiviteti ynë politik nuk pranohej dhe i gjithë populli shtypej. Gjithsesi, nuk lejohej e drejta e vetëvendosjes. Pas çlirimit, dolëm nga burgu por nuk dolëm në liri sepse na futën në spital. Tash, në spital, doktorët dhe motrat medicinale nuk na rrahin më por, sërish, nuk lejohet e drejta e vetëvendosjes”, tha Albin Kurti, Kryetar i VV-së.

Kurti thotë se, shteti i Kosovës me këtë pavarësi pa sovranitet, për popullin është tepër pak, tepër vonë. Ai thotë se, Serbia po i vendos kushte Prishtinës zyrtare ndërkohë pala kosovare mbetet e pakushtëzuar karshi qytetarëve të saj.

“Do të ketë shanse të tjera për ta kushtëzuar Serbinë në rrugën e saj të integrimeve evropiane për shkak të varësisë së saj nga Kosova. Mirëpo, edhe ato shanse do të humben nga Qeveria e Kosovës porsi ajo kur Serbia e mori me lehtësi statusin e vendit kandidat për BE në mars të këtij viti. Qeveria e Kosovës nuk do pengesa për t’i vazhduar bisedimet me Serbinë, qofshin ato edhe kushtëzime me një çështje të drejtë humanitare sikurse që është çështja e të pagjeturve. Se kush janë këta njerëz, ata na e e kanë treguar vetë. Ata e urdhëruan kundër-mocionin kundër reciprocitetit me Serbinë me 20 janar të këtij viti”, shtoi Albin Kurti, Kryetar i VV-së.

Sipas Albin Kurtit- Demokraci do të ketë vetëm atëherë kur qeveritarët e mandatit aktual do të jenë shërbëtorët e përkohshëm të popullit. Ndërkohë Shpend Ahmeti dhe Visar Ymeri diskutuan rreth çështjes së privatizimit të ndërmarrjeve publike, gjendjes së rënde ekonomike, mungesës së mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit të punës etj.
 

Top Channel