Akuzat për djegien e Kuranit

02/09/2012 15:20

Policia pakistaneze ka dalë në përfundimin se kleriku musliman, përgjegjës për akuzat e blasfemisë të hedhura mbi një vajzë të krishterë, i fabrikoi vetë provat për ta lidhur 14-vjeçaren me djegien e një libri të Kuranit.

Në këtë mënyrë, kjo ngjarje që rindezi tensionet fetare në vend e tërhoqi vëmendjen e mbarë botës, merr një kthesë të papritur.

Adoleshentja u ndalua dy javë më parë në afërsi të kryeqytetit Islamabad pasi një turmë njerëzish të zemëruar po përpiqeshin ta ndëshkonin për gjestin ofendues. Sipas ligjit të blasfemisë, kush flet keq për Islamin dhe profetin Muhamed bën krim e mund të përballet me dënimin me vdekje, por aktivistët mendojnë se paqartësia e terminologjisë ka çuar në keqpërdorimin e tij.

14-vjeçarja Rimsha Masih u akuzua se kish djegur fletë që përmbanin tekste nga libri i shenjtë. Megjithatë, një dëshmitar okular ka dëshmuar se imami Khalid Chishti i vuri vetë faqet në çantën e vajzës me zhvillim të vonuar mendor. Në fillim të javës, një gjykatë e shtoi me dy javë të tjera qëndrimin e adoleshentes në një burg të sigurisë së lartë.

I ati, i trembur për jetën e së bijës dhe për sigurinë e të gjithë familjes së tij, i kërkoi presidentit pakistanez Asif Ali Zardari, që ta falë. Prindërit e Rimshës po mbrohen nga roje sigurie pas kërcënimeve të marra, ndërsa shumë familje të krishtera të zones janë larguar të frikësuara.

Ligjet e ashpra të blasfemisë në Pakistan përdoren jo rrallëherë edhe për hakmarrje personale. Vitin e kaluar, dy politikanëve të njohur në vend, u ekzekutuan pasi ngritën zërin kundër legjislacionit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA