Qeveria e Kosovës, nën koordinimin e Ministrisë për Integrimet Evropiane dhe të asaj të Punëve të Brendshme, i dorëzoi Komisionit Evropian raportin e parë të gatishmërisë për zbatimin e kritereve të dala nga Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave.

Siç njoftohet në një komunikatë të Ministrisë së Integrimit, ky raport ofron një pasqyrë të plotë të të gjitha përpjekjeve të ndërmarra deri tani nga institucionet e Republikës së Kosovës në përmbushjen dhe respektimin e kritereve të përfshira në këtë udhërrëfyes, veçanërisht duke u përqendruar në progresin e arritur në këtë drejtim që nga viti 2008.

Azhornimi i dhënë në bazë të çdo kriteri fokusohet në zhvillimet legjislative dhe të politikave, ndërtimit të institucioneve, zhvillimit të kapaciteteve dhe zbatimit të tyre në praktikë, njofton ministria.

Raporti është përgatitur gjatë muajve korrik dhe gusht 2012, me përfshirjen e drejtpërdrejtë dhe kontributin e të gjitha institucioneve relevante të Republikës së Kosovës, të cilat janë përgjegjëse për zbatimin e udhërrëfyesit.

Deri më 15 shtator, qeveria e Kosovës do të dërgojë edhe informata shtesë mbi nivelin e përafrimit të legjislacionit kosovar me atë të BE-së. Pespektivisht vlerësohet një përafrim i detajizuar me “Acquis Communitaire” të të gjitha ligjeve të Kosovës, relevante për proçesin e liberalizimit të vizave.

Top Channel