Vetëvendosje, aksion kundër privatizimeve

01/09/2012 18:10

Lëvizja Vetëvendosje organizon aksionin e radhës kundër privatizimit të Postë Telekomit të Kosovës dhe Distributorit të Energjisë.

Me anë të një komunikate, kjo lëvizje fton qytetarët, përfaqësues të shoqërisë civile, reporterë e punonjës të mediave, që të marrin pjesë në këtë aksion.

Nisma parashikon dërgimin e mesazheve në postën elektronike të kompanive të cilat janë duke marrë pjesë në proçesin e privatizimit të PTK-së dhe të kompanisë që është përzgjedhur për privatizimin e KEDS.

Vetëvendosje njofton se aksioni ka nisur që prej orës 15:00 të ditës së shtunë, kur aktivistë dhe qytetarë nisën të dërgonin mesazhet në shenjë proteste.

Tekstet e parapërgatitura në anglisht i drejtohen kompanive përkatëse në emër të qytetarëve të shqetësuar për një proçes privatizimi, i cili s’do të mbrojë interesat e konsumatorëve kosovarë.

“Nëse ju vazhdoni të këmbëngulni, atëherë duhet ta dini se unë dhe familja ime, duke i bërë thirrje kujtdo që njohim, do të përballemi me ju, në mënyrë që t’ju ndalim juve dhe qeverinë nga ky proçes që është kundër nesh”, thuhet në mesazhet elektronike.

Top Channel