Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë gjatë së shtunës se çështja e mandatit të presidentes së Kosovës është qartësuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas këtij vendimi, ndërprerja e parakohshme e mandatit të presidentit nuk është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Deklarata e Thaçit vjen pak ditë pasi Lidhja Demokratike e Kosovës braktisi Komisionin Kuvendor për Reformën Zgjedhore, në shënjë paknaqësie ndaj “mosrespektimit të marrëveshjes politike”.

“Nuk besoj se është në interesin e asaj partie që të mbetet e veçuar dhe bojkotuese e proçesit”, ka thënë Thaçi.

Për më tepër, kreu i qeverisë ka ftuar liderët politikë që t’i lënë anash interesat e ngushta personale, partiake dhe elektorale për të punuar për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit, dhe ka ripërseritur se anjë lider politik nuk mund të sfidojë vendimin e institucioneve të pavarura.

“Unë e respektoj me përpikmëri marrëveshjen dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese në të njëjtën kohë. Partitë politike dhe asnjë lider politik nuk mund ta sfidojnë vendimin e institucioneve të pavarura. Tek e fundit, vetë kjo parti e ka kërkuar interpretimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe tani ai vendim i gjykatës është një realitet”, ka theksuar Thaçi.

“Por ne duhet të gjejmë mënyrat, format dhe mundësitë e bashkëpunimit, sepse është në interesin e shtetit ta përmbyllim proçesin e reformave dhe një parti e vetme nuk do të mund t’i bllokojë reformat demokratike të ecjes përpara të Kosovës. Por, e mira do të ishte që të gjithë të jemi së bashku dhe unë kam besim që këtë veprim të pastudiuar mirë, ata do ta mendojnë dhe do të kthehen”, ka thënë më tej kryeministri.

Këto deklarata shefi i qeverisë i bëri nga Prizreni, ku mori pjesë në përurimin e rrugës në fshatin Leskovec të Prizrenit me gjatësi rreth 5 kilometra.

Top Channel