Siri, betejë për bazat ajrore

01/09/2012 19:45

Rebelët sirianë kanë kapur të shtunën të paktën 16 anëtarë të forcave të
armatosura të qeverisë, pas një sulmi në bazën e mbrojtjes ajrore
Boukamal, në lindje të vendit.

Lajmin e bën të ditur Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut,
sipas të cilit mes të burgosurve ka oficerë, nënoficerë dhe ushtarë të
thjeshtë.

Pikërisht bazat ajrore pritet të kthehen në “mollën e sherrit” mes
besnikëve të regjimit të Bashar al Assad dhe kryengritësve, burime nga
të cilët bëjnë me dije se janë regjistruar 1600 viktima në 7 ditë. 

Kina: Dialogu zgjidhja e vetme

“Dialogu politik është rruga e vetme dhe e drejtë për të zgjidhur krizën
e gjatë siriane”. Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm kinez, Yang
Jiechi, në një bisedë telefonike me të dërguarin e ri të OKB-së dhe
Ligës Arabe, Lakhdar Brahimi.

“Kina është shumë e shqetësuar për përkeqësimin e situatës në Siri. Komuniteti Ndërkombëtar duhet të mbetet i fokusuar tek një zgjidhje politike për krizën”, ka thënë më tej Yang.

Kina, bashkë me Rusinë, ka bllokuar disa herë miratimin e një rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që do të mundësonte një ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare në Siri, apo mbështetje ushtarake për rebelët e këtij vendi.


“Siria” në Asamblenë e Përgjithshme

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të mbajë një mbledhje mbi Sirinë më 4 shtator. Lajmin e bënë të ditur disa ditë më parë burime diplomatike nga Pallati i Qelqtë.

Sekretari i përgjithshëm, Ban Ki Moon dhe përfaqësuesi i ri i posaçëm i OKB-së dhe Ligës Arabe, Lakhdar Brahimi do të raportojnë mbi zhvillimet e situatës në terren.

Për diplomatin algjerian, që ka zëvendësuar ish-sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Kofi Annan, bëhet fjalë për fjalimin e parë zyrtar që nga marrja e detyrës.

Top Channel