Afganistan, sulm vetvrasës pranë bazës së NATO-s

01/09/2012 00:00

Dy shpërthime vetvrasëse të ndodhura thuajse në të njëjtën kohë, shkaktuan të paktën 12 viktima në një bazë të NATO-së në provincën qendrore të Afganistanit Uardak.

Atentatet ndodhen në një zonë të populluar të provincës, mjaft pranë një baze ushtarake të forcave ndërkombëtare. Njoftimet e para folën për dhjetra viktima. Autoritetet na Kabul flasin për 12 të vrarë, 10 civilë dhe dy pjesëtarë të forcave afgane të sigurisë.

Fillimisht u fol edhe për ushtarë ndërkombëtarë të mbetur viktima të sulmit, por kjo u mohua më vonë nga vetë komanda e ISAF-it.

Ka patur një përshkallëzim të sulmeve të militantëve talebanë në Afganistan dhe në zonat kufitare me Pakistanin. Autoritetet e këtij të fundit pranuan vrasjen e 15 ushtarëve të cilët kishin humbur gjurmët gjatë një operacioni kundër talebanëve në zonat tribal.

Këto sulme rikthejnë frikën e ndërkombëtarëve dhe Shteteve të Bashkuara për rritjen e dhunës në vend, në prag të largimit të forcave të NATO-s, që sipas parashikimeve pritet të ndodhë në vitin 2014.

Top Channel