15 vjet pa princeshën Diana

01/09/2012 00:10

Në 31 gushtin e 15 viteve më parë, jehona e lajmit shokues të vdekjes së Lady Dianës, u përhap në mbarë globin edhe pa ndihmën e rrjeteve sociale. Princesha e Uellsit kish ndërruar jetë në Paris, nga një aksident me makinë në një tunel të kryeqyteti francez.

Bashkë me të, vdiq dhe i fejuari Dodi Al-Fajed, i biri i pronarit miliarder të dyqaneve Harrods. Ajo që emri i Dianës sjell menjëherë në mendje është martesa si në përralla me princin Karl në 1981-shin, vorbullat e thashethemeve, tradhëtive, divorci një vit para vdekjes apo komplotet e mundshme, teoritë e të cilave një gjykatë tentoi 11 vjet më vonë t`i fashiste duke ia hedhur fajin shoferit Henry Paul dhe paparacëve.

Njoftimi se princesha kish ndërruar jetë u dha në orën 5 e 30 në spitalin e Pitié-Salpêtrière. Reagimi emocional i botës, ishte i fuqishëm.
 
Një dekadë e gjysmë më vonë, në vendin e përplasjes fatale, një grup i vogël njerëzish u mblodh për t’i bërë respektin figurës ikonë.

Memoriali që ngrihet pranë urës Alma të Parisit qëndron në hyrje të tunelit, pak metra larg kolonës prej betoni ku ndodhi aksidenti në 1997-tën. Zona është kthyer në vend pelegrinazhi për adhuruesit e Dianës, të cilët e kanë vizituar prej kohësh.

Megjithatë, numri i atyre që ende gjejnë një arsye për të shkuar atje, është tkurrur me kalimin e viteve.

“Diana ndikoi në jetët e shumë njerëzve, ndaj unë them se ajo ende jeton”, tha për Reuters një turiste amerikane. Britaniku Keith Headland nuk është i cuditur nga fakti që në këtë datë, njerëzit vazhdojnë të vijnë.

“Mendoj se ata do të vazhdojnë të vijnë edhe pas 5, 10, apo 15 vitesh të tjera. Janë kaq të tërhequr prej saj, Diana ishte një njeri kaq i dashur e i mirë, saqë është e pamundur të mos kthehesh këtu për të”.  

Diana Frances Spencer sapo kishte mbushur 36 vjec, e ishte e famshme për akvititet e saj të bamirësisë, luftën kundër minave anti-njeri dhe punës nëpër spitale, përfshirë ato të lebrozëve jashtë kufijve të Britanisë, sidomos në Indi. Mikja e saj, e madhja Nënë Tereza, do të venitej vetëm pak ditë pas vdekjes së princeshës, në datën 5 shtator të vitit 1997.

Top Channel