Strauss Kahn ndahet nga bashkëshortja

31/08/2012 16:50

Bashkëshortja e Dominique Strauss Kahn, Anne Sinclair ka konfirmuar, ndonëse në mënyrë indirekte, se çifti është ndarë, pasi ish-kreu i FMN-së u përfshi në një sërë skandalesh seksuale.

Pasi u pyet nga gazeta “Le Parisien” se si po shkonte jeta personale “që nga ndarja”, ajo u përgjigj: “Në formë të mirë”. Së fundmi kanë qarkulluar zëra se çifti i profilit të lartë është ndarë muajin e kaluar, por asnjë prej tyre nuk i ka konfirmuar ato.

Zonja Sinclair, me profesion gazetare, qëndroi përkrah të shoqit pavarësisht skandaleve që u zbuluan njëri-pas tjetrit. Në qershor çifti kërcënoi se do të padiste revistën “Closer” për publikimin e lajmit se ata ishin ndarë.

Zoti Strauss Kahn u detyrua të dorëhiqej nga posti i kreut të Fondit Monetar Ndërkombëtar më herët gjatë vitit, pasi u arrestua nën akuzën për agresion seksual ndaj një kamariereje në një hotel të Nju Jorkut.

Akuzat ranë më vonë, por që atëherë ai është përballur me një numër aksionesh civile dhe penale për çështje analoge.

Në mars, ai u akuzua bashkë me dy biznesmenë dhe një shef policie se kishin organizuar një zinxhir prostitucioni për orgji në Francë dhe SHBA, akuzë të cilën ai e mohon.

Top Channel