Romney: I rikthej krenarinë SHBA-së

31/08/2012 10:20

Sfidanti i Obamës për President i SHBA-ve, Mitt Romney, u betua se do t’i rikthejë “begatinë dhe krenarinë” vendit, ndërsa pranoi marrjen e emërimit zyrtar si kandidati i republikanëve në konventën e partisë në Florida.

Romney akuzoi Obamën se nuk ka mbajtur premtimet me të cilat fitoi besimin e amerikanëve katër vjet më parë dhe prezantoi një plan që sipas tij do të rimëkëmbë ekonominë, do të bëjë vendin të pavarur energjitikisht, krijojë vende të reja pune dhe do të përmirësojë problemet buxhetore.

”Fushata e Obamës nuk sjell asnjë ide të prekshme, nuk ka asgjë konkrete dhe një mandat i ri për të do të ishte një hap pas për vendin”, deklaroi Romney, i cili do të sfidojë presidentin aktual në zgjedhjet e nëntorit.

Fjalimi i Romney-t ishte përmbyllësi i konventës tre ditore të partisë republikane, ku sipas ekspertëve, u pa një ndryshim strategjie në përqendrimin mbi anën njerëzore të guvernatorit të Masaçusestsit.

Gjatë konventës, 65-vjeçari fitoi edhe mbështetjen e dy prej figurave me më shumë ndikim brenda republikanëve, ish-Sekretaren e Shtetit, Condolezza Rice dhe kandidatit për president në vitin 2008, John McCain.

”Do të dëshiroja që Presidenti Obama të kishte rezultuar i suksesshëm dhe SHBA të kishte ecur në rrugën e progresit, pasi dua të shoh shtetin tim të avancojë, por fatkeqësisht nuk ka ndodhur kështu”, u shpreh Romney.

Kandidati republikan premtoi një plan konkret për krijimin e 12 milionë vendeve të reja të punës dhe rikthimin në rritje të qëndrueshme të një ekonomie që vuan nga një papunësi prej 8,3% e krahut aktiv të punës.

Top Channel